Lladrovci vizitohet nga Syla e Hoxha: Drenica ka qenë dhe është bashkë, kur bëhet fjalë për interesin nacional

Javën që lamë pas, Ramiz Lladrovci konfirmoi rikandidimin e tij për të parin e Drenicës.

Por në publikim e sipër, Lladrovci bëri të ditura edhe pakënaqësitë e tij që lidhen me partinë dhe kandidimin për Drenas.

Por sot Lladrovci bëri të ditur se është vizituar nga Azem Syla dhe Sejdi Hoxha të cilët i dhanë përkrahje për nominimin e tij për kryetar të Drenasit, në mandatin e ardhshëm, transmeton lajmi.net.

Lladrovci tha se kjo përkrahje ka kuptim në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

Ai shtoi se djepi i UÇK-së, Drenica, vatra e luftës dhe çlirimit, është rritur në nivel nacional falë unitetit, duke e identifikuar pas çlirimit si bastion i PDK-së.

Postimi i plotë:
Drenica gjithmonë ka qenë dhe është bashkë, kur bëhet fjalë për interesin nacional.

Falënderoj Azem Syën, Sejdi Hoxhën dhe Labinot Halilajn për vizitën dhe përkrahjen me rastin e nominimit tim për kryetar të komunës në mandatin e ardhshëm. Kjo përkrahje, ka kuptim në funksion të mirëqenies së qytetarëve, përmirësimin e kushteve të jetës për qytetarët tanë, duke e bërë datën 14 shkurtin, datë të festës për votën e fuqishme të qytetarëve të komunës tonë dhe Drenicës për PDK-në.

Djepi i UÇK-së, Drenica, vatra e luftës dhe çlirimit, është rritur në nivel nacional falë unitetit tonë, duke u identifikuar pas çlirimit si bastion i PDK-së. Edhe sot, ashtu siç e kam cekur më herët, do të jemi unik, si asnjë herë më parë, sepse, vizioni ynë për fuqizimin e shtetit, për zbatimin e ligjit dhe mundësive të barabarta, janë frymëzimi ynë.

Dhimbja jonë, nga 6 nëntori 2020, është e lidhur me ndalimin e padrejtë të liderëve tanë në Hagë, andaj përkushtimi ynë për fitore, do të jetë i motivuar më shumë se çdo herë në Kosovën e lirë dhe kauzat e udhëheqësve tanë drejt çlirimit dhe fuqizimit të shtetit.

Uniteti ynë, ka qenë dhe është çelësi i fitores!./Lajmi.net/

SHPËRNDAJE