Aksidenti në Arllat të Drenasit, një i vdekur dhe gjashtë persona të lënduar

Një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë lënduar në një aksident komunikacioni që ka ndodhur sonte në fshatin Arllat të Drenasit.

Zëdhënësja Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti konfirmoi për Telegrafin se në aksident ishin të përfshira katër vetura.

“Rreth orës 20:30, në rrugën Arllat -Malishevë, ka ndodhë një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshira katër automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme, si pasojë e aksidentit janë lënduar shtatë persona. Njëri nga personat e lënduar nuk ka arrit të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha ajo.

Ahmeti tha se personat e tjerë janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që me hetimin e rastit po merren hetuesit rajonal të komunikacionit rrugor.

Kohëve të  fundit në Kosovë  është rritur numri i aksidenteve në  komunikacion, ndërkaq Policia e Kosovës u ka bërë thirrje shoferëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit./Telegrafi/

/KlanKosova.

SHPËRNDAJE