Rezultatet negative të tre herë ish- kampionit të Kosovës, Feronikelit kishin fillesat me trajnerin Klodian Duro, kur në muajin maj kryesia vendosi ta shkarkojë, kjo si pasojë e rezultateve negative.
Kur pritej që këto rezultet negative, të shndërroheshin në pozitive, me ardhjen e trajnerit të ri, Faruk Elshanit, ndodhi e kundërta, shkruan Insporti.
‘Industrialistët’ u përballën me probleme të shumta, duke filluar nga bllokimi i merkatos nga UEFA, për shkak të problemit me financa me një nga ish-futbollistët.
Dhe, zhbllokimi i regjistrimeve të lojtarëve mbetet shpresa e vetme e Elshanit për stinorin e ardhshëm.
“Për stinorin pranveror e presim me shpresë që së pari të arrijmë të zhbllojkojmë regjistrimet e lojtarëve e të transferojmë disa lojtarë që të punojmë fort që në sezonin pranveror të mbledhim sa më shumë pikë” – tha fillimisht trajneri i Feronikelit, Faruk Elshani për Insportin.
Feronikeli po kalon edicionin më të vështirë që nga inkuadrimi në Superligë, ku në fund të këtij stinori klubi nga Drenasi u rëndit e fundit, duke grumbulluar vetëm 11 pikë.
Mospasja e rezultateve sipas Elshanit ka ardhur si pasojë e mungesës së fondit të lojtarëve.
“Mendoj se mos rezultatet e mira kanë ardhë edhe në mungesë të fondit të mjaftueshëm të lojtarëve. Kam pasë lojë që kam pas vetëm 15 futbollistë në dispozicion, kur duhet që tash mundesh me pas 9 futbollist revervë, është desht të plotësohen me junior. Se nëse e shikojmë rrethin e parë të lojëve kemi qenë në objective, do të thotë në 9 ndeshjet e para kemi pasë 10 pikë, por në rrethin e dytë filluan problemet me lëndime, kartona. Kur dihet fondi i lojtarëve u bë shumë vështirë, por edhe nganjëherë fati nuk ishte me neve.” – shtoi më tutje Elshani.
Përkundër që gjenden në pozitën e fundit në tabelën e Superligës, dhe me vetëm 11 pikë të grumbulluara, Elshani theksoi se nuk ka presion nga kryesia.
“Presion nga kryesija nuk ka se edhe ata e dinë mirë me çfarë probleme jemi ballafaquar së pari me fillu kampionatin” – tha Elshani.
Ndërsa sezoni pranveror në BKT Superligën e Kosovës do të rinisë më 12 e 13 shkurt, trajneri i klubit të Feronikelit përfundoi se nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të presin se çfarë do të ndodh dhe si do të organizohet klubi për stinorin që po vjen.
/Insporti.com
SHPËRNDAJE