Kryetari Lladrovci pret në takim ambasadoren e Finlandës, diskutojnë për projektet dhe arsimin në Drenas

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall, të cilën e njoftoi me të arriturat, projektet dhe sfidat e komunës, me theks të veçantë angazhimin dhe të arriturat në fushën e arsimit.

Në këtë takim, kryetari Lladrovci njoftoi ambasadoren edhe për punët dhe investimet e kryera në Komunën e Drenasit dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet komuna si ndërtimet në komasacion, ndotja e ambientit nga varrezat e automjeteve, ujërat e zeza dhe ujësjellësin.Kryetari Lladrovci gjithashtu e njoftoi për bashkëpunimin e shkëlqyer të nxënësve të shkollave të mesme në Drenas me nxënësit e shkollave në Finlandë dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian, komuna e vetme jashtë shteteve të Bashkimit Evropian që merr pjesë në projektin e Euroscola-s si një projekt arsimor që bashkon nxënës të shkollave të mesme nga të gjitha vendet tjera të BE-së.Ndërsa, ambasadorja u nda e kënaqur nga vizita e saj në komunën e Drenasit dhe vlerësoi punën dhe angazhimin e kryetarit Lladrovci në shërbim të qytetarëve.

Në takimin me nxënësit e Shkollave të Mesme të Drenasit që u organizua në Gjimnazin “GJ.K. Skënderbeu”, të pranishmit i përshëndeti kryetari Lladrovci i cili theksoi përkushtimin e qeverisjes së tij për ngritjen e cilësisë në arsim, ndërsa Ambasadorja finlandeze ligjëroi për vlerat e Bashkimit Evropian si vlera të përbashkëta jo vetëm për vendet anëtare të BE-së por edhe për vendet aspiruese.Gjithashtu Ambasadorja Stjernvall me nxënësit foli për përvojat, sfidat jetësore si dhe këshillat për të ardhmen nga përvoja e saj. Pas ligjëratës u zhvillua debat me pyetje-përgjigje në mes të nxënësve dhe ambasadores.

Në fund, znj. Pia Stjernvall vizitoi ambientet e shkollës dhe kabinetet ku nxënësit praktikojnë mësimin.

SHPËRNDAJE