Kryetari Lladrovci uron fillimin e fushatës së korrje-shirjes

Më rastin e fillimit të fushatës së korrje-shirjes, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku drejtoreshën e Bujqësisë, Anita Avdullahu, kanë dalë në terren për të parë nga afër ecurinë e kësaj fushate.

Kryetari Lladrovci dhe drejtoresha Avdullahu, kanë vizituar grunajat e familjes Ramadani të Baicës, në tokat e tyre në Gllobar. “Familjes Ramadani, por edhe të gjithë bujqve ju uroj të kenë të korra të mbara dhe me plotë bereqet. Bujqësia në komunë tonë ka shënuar rezultate të mira, por mundemi së bashku me shumë dhe më mirë”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Sipas informatave nga terreni, rendimentet janë të kënaqshme, pos në ato vende ku dëmtimet janë të mëdha nga të reshurat e breshërit. Rendimentet sillen prej 3500 deri në 4000 kilogramë për hektar.

Fushata e korrje-shirjes, ka filluar në shumicën e fshatrave të Komunës së Drenasit, ndërsa janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i autokombajnave. Të gjitha autokombajnat, janë njoftuar nga Drejtoria e Bujqësisë për çmimin për korrje-shirje i cili pas koordinimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe drejtorive komunale për bujqësi, për këtë vit është caktuar të jetë 90 euro për hektar, apo sipas marrëveshjes në mes të kombajnerëve dhe fermerëve.

Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci me kohë ka caktuar edhe Komisionin Komunal për ecurinë e fushatës së korrje-shirjes në Drenas.

Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, edhe njëherë njofton fermerët si dhe pikat grumbulluese të grurit se gjatë pranimit të grurit nga fermerët, në dëshminë/kuponin apo faturën e tyre të lëshuar për sasinë që ka deponuar fermeri, të shtoj edhe numrin identifikues të fermerit (NIF).

LINK – VIDEO SHIKO

SHPËRNDAJE