Trafot e rrymës po shndërrohen në objekte artistike në Drenas

Në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Drenas, trafo e energjisë elektrike ka marrë një pamje krejt ndryshe. Dikur, kjo trafo ishte e mbushur me mbishkrime, por tash e tutje ajo do të jetë pikë referuese.

Kjo pasi ky trafostacion është shndërruar tashmë në një objekt modern artistik nga arti grafik i artistëve vendor. Njëjtë sikurse kjo trafo, edhe disa të tilla po shndërrohen në objekte artistike në lagje të ndryshme të Drenasit.

E gjithë kjo po mundësohet fal bashkëpunimit të KEDS me Komunën e Drenasit, në kuadër të projektit Art n’Trafo. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që trafostacionet e KEDS të shndërrohen në objekte urbane, duke i dhënë gjallëri lagjeve ku ato janë të alokuara dhe njëkohësisht të mundësohet promovimi i artit dhe artistëve të rinj.

Se këto projekte po kanë ndikim pozitiv në komunitet e thotë edhe Drejtoresha e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, Flutra Avdiu. “Përmes këtij bashkëpunimi me KEDS, ne po bëjmë transformimin e trafove në vepra urbane artistike. Kësisoj, po i japim ngjyra qytetit të Drenasit. Padyshim që e gjithë kjo reflekton në pozitivitet për secilin që kalon andej pari. Ne synojmë që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe me tutje, në mënyrë që artistëve tanë t’u japim hapësirën e nevojshme për të shfaqur veprat e tyre artistike në komunitet”, tha Avdiu.

Ndërkaq, Drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti Arifaj thotë se KEDS është i përkushtuar që krahas ofrimit të shërbimeve me energji elektrike, të jetë në shërbim edhe të komunitetit përmes aktiviteteve në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës. “KEDS që na fillimi i operimit ka qenë i përkushtuar, që krahas ofrimit të shërbimeve me energji elektrike, të përkrah komunitetin përmes aktiviteteve të ndryshme në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës. Ndër to është edhe projekti Art n’Trafo, të cilin e kemi nisur në Prishtinë, po e vazhdojmë në Drenas dhe synojmë ta realizojmë në tërë Kosovën. Trafostacionet po i shndërrojmë ne objekte moderne, urbane e artistike. Artistët tanë po promovohen ndërkaq lagjeve po u kthehet gjallëria.”, theksoi Pajaziti Arifaj.

Projekti Art n’Trafo realizohet në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci dhe Drejtori Gjeneral i KEDS Energy z. Alper Erbas. Projekti Art n’Trafo ka për qëllim transformimin e trafove në vepra urbane artistike përmes artistëve tanë të talentuar Driton Kastrati dhe Bislim Elshani.

Me poshtë gjeni disa fotografi para dhe pas ngjyrosjes se trafove të rrymes. #Artn’Trafo #Drenasi💛

SHPËRNDAJE