Vizita e Albin Kurtit në Tërdec, kjo është e verteta sipas VV-së

Lëvizja Vetëvendosje në Drenas, ka reaguar ndaj disa shkrimeve ku thuhej se në fshatin Tërdec, disa banorë e kanë penguar vizitën e liderit të saj, Albin Kurti.

Reagimi i plotë i VV-së në Drenas:

Sot, më 23.01.2021, disa portale dhe gazeta të dirigjuara nga njerëzit e pushtetit tashmë në ikje, përhapën lajme të rreme, gjoja se dikush në fshatin Tërdec të Drenasit nuk e pranoi në vizitë, Kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.

Me kërkesën e fermerit punëtor e të zellshëm, z.Labiont Halilaj, ne, sot u takuam, diskutuam dhe vendosëm që bashkarisht të demantojmë këto lajme të pavërteta, të cilat qëllimin e vetëm e kanë nxitjen e urrejtjes ndërshqiptare, jo vetëm në Drenicë, por në të gjithë Kosovën.

Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në të kaluarën, gjithmonë kanë filluar në Drenicë, sepse ajo çdo herë, sidomos në kohët më të vështira hapi dyert për të pritur prijësit e ndryshimeve. Kjo traditë po vazhdon edhe tani, ku dyert e drenicasve janë të hapura për ta përqafuar ndryshimin që po ndodh në gjithë Kosovën. Njëra nga këto dyer, ishte edhe ajo e fermerit, Labinot Halilaj, që mbrëmë i bëri një pritje vëllazërore Kryeministrit dhe shoqëruesve të tij.

Në agjendën e Kryeministrit ishte vetëm një vizitë e shkurtër disa minutëshe në fermë. Dhe për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, Kryeministri dhe shoqëruesit e tij qëndruan vetëm disa minuta atje, sepse shumë qytetarë po prisnin në takimet tjera të paracaktuara në Nekoc, Polluzhë e Shtuticë.

SHPËRNDAJE