Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me të cilin kanë diskutuar për punën dhe projektet që po i implementon kjo komunë.
Hoxhaj ka thënë është i bindur që kryetari i Komunës së Drenasit do ta vazhdojë qeverisjen e mirë në shërbim të qytetarëve, pasi puna e Lladrovcit në nivelin komunal është vlerësuar duke e shpallur Drenasin komunën me performancën më të mirë në nivel vendi.
“Mora një informatë të plotë për projektet që i ka kryetari i komunës dhe përtej asaj se ka bërë punë të madhe në Drenas, z. Lladrovci shihet në nivel të Kosovës si shembull i mirë i qeverisjes, si shembull i mirë i menaxhimit, si shembull i mirë i zhvillimit të një komune. Për atë edhe të gjithë indikatorët ndërkombëtarë, ambasadat më të fuqishme në Kosovë dhe institucione ndërkombëtare e kanë vlerësuar punën e z. Lladrovci dhe të Komunës së Drenasit dhe natyrisht që ne presim që këtë punë ta vazhdojë edhe në të ardhmen që të jetë në shërbim të qytetarëve, meqë ne mund ta ndërtojmë një jetë të dinjitetshme duke filluar nga një pushtet lokal i suksesshëm”, ka theksuar Hoxhaj.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramuz Lladrovci e ka njoftuar Hoxhajn për të gjitha projektet që janë duke i zhvilluar në nivel lokal.
“E njoftova kryetarin për punët, për angazhimet, për projektet që i ka komuna dhe për projektet që është duke zhvilluar komuna. Ne dihet tash jemi komunë kampion për performancë, në zbatim të ligjit e në punë të tjera dhe do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen me kryetarin, me kryesinë dhe do të kemi takime edhe me ata që do të jenë kandidatë për kryetarë komunash, ku do t’i informojmë se si do ta bëjmë një platformë të përbashkët për punë të mira që do t’i kemi kryetarët e komunave të Partisë Demokratike të Kosovës në të ardhmen”, ka thënë ai.
SHPËRNDAJE