Përkujtohen 40 dëshmorë në krye me heroin Ilaz Kodra dhe 275 martirë

Më rastin e 23 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 40 dëshmorëve dhe mbi 275 martirëve, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me stafin e tij, kryetarin e Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, familjar të dëshmorëve e martirëve, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së e shumë qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta pranë varrezave ku prehen të rënët e 30 prillit të vitit 1999.

Fillimisht, homazhe dhe vendosja e buqetave me lule, janë bërë pranë shtatores së heroit Ilaz Kodra në sheshin e qytetit të Drenasit, pastaj homazhet kanë vazhduar në Kompleksin e Dëshmorëve në fshatin Marinë, në varrezat e fshatit Shtuticë, Vërboc e Tërstenik të lagja Gashani si dhe pranë lapidarit me emra të të gjithë të rënëve në këtë ditë.

Kryetari Lladrovci tha se në këtë ditë përkujtimi, të dhimbjes e krenarisë, kujtojmë me nderim heroin Ilaz Kodra, 40 dëshmorë e mbi 275 martirë të kombit nga Vërboci, Shtutica, Tërsteniku, Dosheci, Baksi, Gllobari dhe fshatrat përreth.

“Sot kujtojmë sakrificën e jashtëzakonshme të popullit tonë ndër shekuj, kujtojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë. Sot këtu kujtojmë Vërbocin e Shtuticë, dy nga vendet me gjenocidin me të madh të kryer nga forcat serbe. Fatkeqësisht ende askush nuk ka dalë para bankës së të akuzuarve për planifikuesit e ekzekutuesit e këtyre vrasjeve. 30 prilli kujtohet si masakra më e madhe gjatë luftës së fundit, prandaj gjykimi duhet të jetë për vrasësit e jo për ata që luftuan në mbrojtje të këtij vendi”, ka thënë mes tjerash kryetari Lladrovci gjatë homazheve të bëra.

SHPËRNDAJE