Nxënësit e Shkollës “Arif Shala” në Korroticë të Ulët krijojnë 4 robotë edukativë

Në një arritje të jashtëzakonshme për arsimin dhe inovacionin në komunën tonë, nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulët “Arif Shala” në Korroticë të Ulët kanë zhvilluar me sukses katër robotë edukativë. Ky projekt inovativ u bë i mundur falë një donacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hapur rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë dhe edukimit në shkollat tona.

Këta robotë edukativë do të shërbejnë si bazë për mësimin e teknologjisë dhe makinerisë industriale, duke përgatitur nxënësit për sfida të ardhshme në fushën e inxhinierisë dhe robotikës. Projekti gjithashtu do t’u mundësojë nxënësve të marrin pjesë në gara të ndryshme shkencore dhe teknologjike, duke ngritur më tej nivelin e arsimit dhe inovacionit në komunën tonë.

Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, ka vizituar nxënësit dhe ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e tyre në këtë projekt. Ai ka premtuar përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme për të nxitur zhvillimin e aktiviteteve shkencore dhe teknologjike në shkolla.

“Kjo arritje është një dëshmi e talentit dhe përkushtimit të të rinjve tanë. Komuna e Drenasit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla që sjellin përparim dhe zhvillim për të ardhmen e fëmijëve tanë,” – u shpreh Kryetari Lladrovci.

 Urime nxënësve të shkollës “Arif Shala” për këtë sukses të madh! Ne jemi krenarë për ju dhe mezi presim të shohim arritjet tuaja në të ardhmen! 

SHPËRNDAJE