Rikonfirmohet: Komuna e Drenasit e para për performancë komunale

Komuna e Drenasit, edhe pas rivlerësimit të komponentëve për matjen e performancës komunale në Raportin e Performancës Komunale për vitin 2019, mbetet e para.

Në një ceremoni të organizuar nga MAPL, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pranuar çmimin e parë të Grantit të Performancës Komunale për vitin 2019, ku ka fituar grant në vlerën prej 517,430.00 euro.

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka bërë ripublikimin e Raportit të Performancës së komunave për vitin 2019, të financuar nga MAPL-ja, Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Agjencinë Suedeze dhe Ambasada Norvegjeze dhe serish edhe pas rivlerësimit Drenasi është renditur e para. Raporti i performancës ka pasur 19 fusha të matjes me 119 tregues e që Drenasi në këtë matje në mesin e 38 komunave ka performuar më e mira, dhe merr vendin e parë. Si rezultat i kësaj të arriture, ka fituar grant në vlerën prej 517,430.00 euro.

Me këtë rast, kryetari Lladrovci tha se performanca shembullore në zbatim të ligjit dhe transparencës, ka bërë që Drenasi të renditet në vendin e parë. Lladrovci ka falënderuar ministrin e MAPL, Elbert Krasniqi, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Agjencinë Suedeze dhe Ambasadën Norvegjeze për objektivitetin dhe vlerësimin e performancës së komunës së Drenasit. Lladrovci po ashtu ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim, zyrtarët e komunës të cilët me përkushtim kanë arritur këtë performancë të vlerësuar si më të mirën në vend, anëtarët e Kuvendit të Komunës, pozitë e opozitë dhe ekipin vlerësues të performancës.

Para disa ditësh, kryetari Lladrovci ka nënshkruar Marrëveshjen për Mbështetjen Financiare të Grantit të Performancës me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Helvetas Swiss Intercooperation  për të realizuar këto mjete në projekte të infrastrukturës për të mirën e qytetarëve. Shuma e përgjithshme e realizmit të këtyre projekteve është mbi 1 milion euro, Komuna do të bashkëfinancojë sipas marrëveshjes në vlerën prej 550 mijë euro.

SHPËRNDAJE