Në Ditën e Çlirimit të komunës së Drenasit, ushtarët e FSK-së, në shenjë nderimi për këtë ditë, kanë parakaluar në Sheshin “Fehmi Lladrovci”, këtë e bëri të ditur kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Për këtë nderim, kryetari Lladrovci, ka shprehur falënderime për oficerët dhe ushtarët e FSK-së, duke theksuar se “me këtë parakalim, ju keni nderuar sakrificën ndër gjenerata të qytetarëve tanë, me këtë parakalim, Ju keni nderuar Ushtrinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe vlerat euro-atlantike të shtetit tonë!”
Deklarata e z. Lladrovci:
Për nder të Çlirimit të Komunës së Drenasit, shpreh falënderim të thellë për oficerët dhe ushtarët që parakaluan në Sheshin “Fehmi Lladrovci”
Të nderuar oficerë, ushtarë, djem e vajza të dëshmorëve, martirëve, veteranëve e invalidëve të UÇK-së,
Mirë se keni ardhur sot në Drenas, në djepin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vatrën e rezistencës, për të na nderuar në shënimin e 23 vjetorit të Çlirimit të Drenasit.
Përjetësisht, jemi mirënjohës ndaj luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit legjendar, Adem Jashari.
Me punën dhe përkushtimin Tuaj si ushtar dhe oficer të FSK-së, po na bëni krenar, sidomos në përfaqësimin e ushtrimeve me ushtritë e vendeve të NATO-s, ku po shkëlqeni e triumfoni në secilën paraqitje.
Sot po parakaloni në vendin ku kanë filluar edhe aksionet e para të UÇK-së.
Ju na keni nderuar me pjesëmarrjen dhe marshin tuaj edhe këtu në sheshin “Fehmi Lladrovci”.
Ne e kemi dashur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ne e duam Ushtrinë e Republikës së Kosovës.
Me këtë parakalim, ju keni nderuar sakrificën ndër gjenerata të qytetarëve tanë,
Me këtë parakalim, Ju keni nderuar Ushtrinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe vlerat euro-atlantike të shtetit tonë!
Ushtarë e oficerë të dashur,
Gjithmonë paçi vetëm fitore!