Kryetari Lladrovci raporton për punën një vjeçare për vitin 2020 në mbledhjen e rregullt të Kuvendit

Kryetari Lladrovci raporton për punën një vjeçare për vitin 2020 në mbledhjen e rregullt të Kuvendit

Është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Drenasit, ku për diskutim ishin 6 pika për rend dite, ndërsa me propozimin e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci janë shtuar edhe dy pika për rend dite, propozim vendimi për formimin e komisionit për plotësim ndryshimin e rregullores për taksa, tarifa, ngarkesa e gjoba dhe propozim vendimi për ndarjen dhe bashkimin e parcelave kadastrale-i plotësuar.

Mbledhjen e ka kryesuar, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Labinot Halilaj, ndërsa merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, nënkryetari Nazmi Hasi, drejtor të drejtorive komunale dhe anëtarët e Kuvendit të Komunës.

Më poshtë ju elaborojmë pikat që janë diskutuar dhe aprovuar në mbledhjen e dytë të rregullt të këtij vitit të Kuvendit të Komunës;

Procesverbali i mbledhjes së rregullt të Kuvendit të Komunës i datës 29.01.2021 është votuar me disa ndryshime.

Propozim Vendim për caktimin e lokacionit për vendosjen e shtatores së Heroit të Kombit Asllan Fazliu, i plotësuar, ka kaluar me shumicë votash.

Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, para të pranishmëve ka paraqitur Raportin e Punës së Kryetarit dhe Qeverisjes Lokale për vitin 2019. Ai ka thënë se pavarësisht sfidave të pandemisë, komuna ka arritur të përfundojë me sukses projektet e planifikuara sipas buxhetit. “Pavarësisht sfidave të pandemisë, ne si komunë kemi arritur të përfundojmë me sukses shumë punë e projekte të cilat i kemi pasur prioritet të qeverisjes lokale. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe të emergjencës shëndetësore, kemi arritur që bashkë me akterë të tjerë të menaxhojmë situatën e pandemisë, duke i dalë në ndihmë qytetarëve tanë me pako ushqimore e higjienike. Ne këtë raport gjeni të gjitha punët e kryera nga secila drejtori, gjithashtu në shërbim të qytetarëve, llogaridhënies e transparencës. Ju falënderoj juve anëtar të Kuvendit për bashkëpunimin e treguar dhe shpresoj që ky vit të jetë edhe më i suksesshëm dhe që pandemia të kaloj e ne të realizojmë synimet tona në shërbim të qytetarëve”, ka thënë kryetari Lladrovci gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës për vitin 2020.

Propozim Vendim për shfuqizimin e pikës 1,2 dhe 3 të nenit 2, të Vendimit Nr.12/360-68569, të datës 29.11.2019, të Kuvendit Komunal dhe Lejimin e lidhjes së Kontratave të reja për dhënien në Shfrytëzim të Përkohshëm të Banesave të caktuara Sociale, në Bllokun e Banimit I dhe II në Drenasin III, me përfaqësues të ri të Banimit të Përkohshëm Social, ka kaluar me vota unanime.

Propozim vendimi për formimin e komisionit për plotësim ndryshimin e rregullores për taka, tarifa, ngarkesa dhe gjoba është plotësuar me anëtar të kuvendit, ekzekutivit dhe shoqërisë civile.

Propozim vendimi për ndarjen dhe bashkimin e parcelave kadastrale-i plotësuar, ka kaluar me shumicë votash.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe Lista e rreziqeve komunale për vitin 2021

Në pikën të ndryshme, anëtarët e Kuvendit të Komunës, kanë diskutuar çështje të ndryshme dhe kanë bërë pyetje kryetarit dhe ekzekutivit, ndërsa këta të fundit i kanë kthyer përgjigje.

Me gjerësisht, mbledhja e Kuvendit të Komunës së Drenasit e datës 26.02.2021 mund ta ndiqni në ueb faqen zyrtare të Komunës dhe në kanalin YouTube ne këto linqe; https://kk.rks-gov.net/gllogoc/ https://www.youtube.com/watch?v=TCds2SZu8HE

SHPËRNDAJE