A e shantazhoi Ramiz Lladrovci, Hashim Thaçin për vrasjen e Bejhadin Allaqit?

Ramiz Lladrovci ia kishte shkruar tri letra Hashim Thaçi, në vitin 2003. Me anë të këtyre letrave kërkonte të takohej me Thaçin për t’ia dëshmuar se “nuk po bashkëpunonte me shërbime të huaja” kundër kryetarit të atëhershëm të PDK-së.

Kryetar i Drenasit, Lladrovci i ankohej Thaçit se shumë prej drejtuesve të UÇK-së e shihnin atë si spiun të shërbimeve të huaja. Mes tjerash përmendte vrasjen e Bejadin Allaqit, një nga drejtuesit e UÇK-së në vrasjen e të cilit implikohet Hashim Thaçi në këtë letër.

Insajderi pati siguruar këto tri letra, të cilat i pati publikuar tri vjet më parë.

Kryetari i Kuvendit të Drenasit, atë kohë Naim Bazaj, pati thënë për Indeksonline se me këto letra Lladrovci ka siguruar pozitën e ambasadorit dhe atë të kandidatit të PDK-së për kryetar komune.

“Zoti Hashim, kohët e fundit jam ndeshur shpeshherë, për të mos thënë përditë, me fjalë të ndryshme që synojnë denigrimin e figurës sime dhe njëkohësisht familjes sime. Këto gjëra më kanë indinjuar, për më tepër, sepse ato po bëhen dhe po përhapen nga shokë ose ish-shokë të mi, nga disa pa dashje, kur është fjala për shokët; dhe nga disa me dashje, mendoj unë, kur është fjala për ish-shokët”, shkruan Lladrovci në letrën e parë.

“Po ju drejtohem krejt sinqerisht dhe nuk dua të keqkuptohem ose të mendosh se ka hile nga ana ime. Të kam kërkuar edhe takim të drejtpërdrejtë, por nuk është bërë i mundur deri tani, megjithëse keni pasur mundësi”, shkruante Lladrovci.

Ai ankohej në letrën e parë se Lulëzim Jashari – djali i komandantit Adem Jashari, Nuredin Lushtaku, Sylejman Selimi dhe Rexhep Selimi, e kanë akuzuar se po bashkëpunon me shërbime të huaja për ta denoncuar Thaçin për përfshirje në vepra penale, siç është vrasja e Bejadin Allaqit.

“Jam akuzuar se, duke bashkëpunuar me të huajt, shërbimet e huaja, po bëj çka është e mundur të ju akuzoj ose denoncoj për rastin… Kjo më është thënë edhe nga Rexhë Selimi, pra ka filluar të bëhet fjalë, pa e ditur unë asnjëherë dhe pa folur me mua”, shkruan në këtë letër në të cilën emri i Bejadin Allaqit është i fshirë me të zezë.

Insajderi pati mësuar se bëhej fjalë për Bejadin Allaqin.

Lladrovci i thotë Thaçit se nuk janë të vërteta pohimet se ai po bashkëpunon me shërbime të huaja për ta implikuar atë në këto krime.

“Nuk është e nevojshme të siguroj se nuk kam asnjë lidhje me asnjë, theksoj, me asnjë shërbim të huaj, po ashtu nuk e shoh të nevojshme të të siguroj se kurrë nuk ka folur për shokët e mi. Kjo është akuzë e rëndë, të cilën nuk e mbaj dhe nga e keni ju këtë informacion. Sepse duke qenë informacion I rremë, pra gënjeshtër fund e majë, ajo ose ka lidhje me keqtrajtimin e figurës suaj, ose me paradënimin e figurës sime, që për mua është më e shtrenjtë se gjithçka tjetër”, shkruan Lladrovci.

Me anë të letrës së parë ai e pyet Thaçin se nga është informuar se po bashkëpunon me shërbime të huaja, informacione këto që, sipas Thaçit, mund të sjellin pasoja të dyanshme.

“Pra nga e keni ju këtë informacion, sepse ky informacion duke u përhapur, mund të sjellë pasoja të dyanshme; për ju të besohet se kështu ka qenë, pra se ka diçka të vërtetë, dhe për mua se flas për shokët, spiunoj, ose shpifi, çka mund të jetë fillesë edhe për eleminimin tim”, shkruan Lladrovci.

“Ti e di mirë, sepse më njeh mirë se nuk kam frikë, por nuk e shoh të nevojshme të krijohen konflikte që mund të zgjasin shumë. Unë e di se akoma ka njerëz që duan të njollosin figurën e Fehmi Llarovcit dhe tash, kur ai nuk është më, kërkojnë ta bëjnë përmes figurës sime”, thoshte Lladrovci në këtë letër.

Kryetari i Drenasit i thotë Thaçit se po flitet se është pasuruar shpejt, se ka pasuri edhe prona, se ka abuzuar me fonde dhe ka shtëpi dhe toka në Prishtinë.

“Për herë të parë këtë e kam dëgjuar nga Bedri Islami, i cili më ka pyetur direkt se përse po flitet se jam bërë i pasur dhe nëse është e vërtetë, duke më thënë se këtë vërejtje e ke edhe nga Hashim Thaçi. Baci Bedri më ka thënë atëherë, para dy viteve, se Hashimi është mërzitur në ty, pra në mua, sepse jam bërë I pasur shpejt”, shkruante Lladrovci.

“Tash po flitet se kam ndërtuar edhe shtëpi në Prishtinë, etj etj. Të gjitha këto nuk janë të sakta. Unë mund të ballafaqohem me gjithsecilin për atë pjesë të fondit që kam administruar, shënimet janë të përpikta, sepse kemi qenë dy vetë, unë e Halili që ti e njeh po ashtu mirë për ndershmërinë e tij dhe në këtë rast akuzohet edhe ai”, ankohej më tej Lladrovci.

Kryetari i Drenasit i thotë Thaçit se kohëve të fundit ai dhe familja e tij kanë pasur kërcënime nga grupe të ndryshme të cilat i njeh se kush janë. Lladrovci thotë se pas luftës emri i tij ishte përmendur për disa pozita udhëheqëse, por nuk e kuptonte se pse Thaçi po i largohej.

“Unë kam qenë në TMK dhe kur kam hyrë në TMK i keni thënë Agim Çekut se përse jam aktivizuar aty (mos të them se e keni sharë). Besoj është paradoks, mirëpo edhe sot, megjithëse kemi ndejtë bashkë disa herë, nuk e kemi fol këtë gjë. Mos ndoshta ata që ishin në TMK ishin burra më të mirë se unë. Sidoqoftë, qëndrimi im në TMK, për aq sa ishte e mundur i shërbej Abazit e shokëve të tij”, shkruante Lladrovci. Ai i ankohej Thaçit se përse asnjëherë nuk e kishte dërguar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin. Madje, nuk ua kishte dërguar asnjë buçet lulesh.

Lladrovci thotë se Thaçi i kishte propozuar të shkonte në AAK-në e Ramush Haradinajt. Kërkonte sqarime se si dhe pse për të dytën herë ndodhej në listën e zezë të presidentit amerikan, George Bush.

“… Kur dy herë, pa të drejtë, krejt pa të drejtë, u gjenda në listën e Bushit, sidomos herën e dytë, nuk më është afruar dora e ndihmës prej teje”, i ankohej Lladrovci, Thaçit.

“Unë, për vete, jam i gatshëm, kurdoherë. Do të ishte mirë që edhe ju të gjeni kohën e duhur. Ramiz Lladrovci, 19 gusht 2003”, shkruante në letër.

Por, Thaçi nuk i ishte përgjigjur.

Për këtë arsye, Lladrovci ia kishte dërguar edhe dy letra tjera me anë të të cilave kërkonte takim. Në letrën e tretë ai thoshte se i kishte dërguar porosi për takim nëpërmjet Jakup Krasniqit. As kësaj here Thaçi nuk e kishte takuar Lladrovcin.

“Ju kam dërguar dy letra me ftesën për t’u takuar, sepse fjalët e përhapura janë shqetësim për mua. Më keni premtuar se do të takoheshim, por deri tash nuk është bërë asgjë. Me anën e Jakup Krasniqit ju kam dërguar tri herë fjalë se duhet të takohemi, ju kam telefonuar, kam lënë porosi që të ju thonë se ju kam kërkuar, e përsëri nuk kam përgjigje”, ankohej Lladrovci, në letrën e 17 tetorit 2003.

Në letrën e tretë, Lladrovci përmendte Lulëzim Jasharin e Nuredin Lushtakun si përhapës të fjalëve se po e spiunonte tek shërbimet e huaja.

“Jam takuar disa herë kohët e fundit me Lulzim Jasharin, Nuredin Lushtakun dhe vetëm tash më thanë se në një takim që ke pas me ta ke ngritë disa dyshime për mua, të cilat jo vetëm që nuk shkojnë për shtatin tim, por as që janë menduar ndonjëherë prej meje. Jam shqetësuar, sepse pas takimit tuaj me Lulin dhe Nurën ne jemi takuar dy herë bashkë dhe nuk më keni thanë asgjë. Jam i bindur se jeni keq i informuar dhe se as vetë nuk e besoni atë që e keni thënë”, shkruante Lladrovci.

“Nga që më njihni mirë duhet ta dini më mirë se të tjerët, se as në natyrën time, as në karakterin tim e të familjes sime, nuk është ajo për të cilën po përflitem. Nuk e di qëllimin e kësaj përfolje, dhe për t’i prerë rrugë mosmarrëveshjeve të tjera, do të ishte mirë të takohemi, shoqërisht për të hequr keqkuptimet dhe për të ndaluar fjalët”, shkruante Lladrovci në letrën e tretë.

Insajderi pati kontaktuar protagonistët e këtyre letrave. Kryetari i Këshillit të Nismës, Jakup Krasniqi e pati konfirmuar se aso kohe kishte qenë ndërmjetës i Lladrovcit për takim me Thaçin.

“Përmes meje Ramizi ka kërkuar vetëm të takohet me Thaçin. Tjetër ndërmjetësim nuk ka pasur”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

Ramiz Lladrovci nuk pati pranuar të flasë për këtë çështje.

“Çka do që ju e shihni të udhës, publikojeni dhe fare nuk dua të inkuadrohem as të paragjykoj as me koment as me supozime. Por, kërkoj nga Ju, të respektoni kodin gazetaresk dhe mos merrni qëndrime nga paragjykimet ndaj meje. Unë jam në fushatë dhe kërkoj ta respektoni objektivitetin. Ndryshe, do të ndërmarrë veprime që mbrojnë personalitetin tim”, ka thënë Lladrovci.

Ndërkaq Bazaj nuk ishte përgjigjur telefonatave dhe mesazheve të Insajderit.

Ndërkohë, Rexhep Selimi, deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, në nëntot të 2019-ës pati hedhur poshtë çdo pretendim se Behajdin Allaqi është vrarë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Ai pati thënë se UÇK-ja nuk do ta vriste kurrë një person të tillë.

“Nuk e ka vra UÇK-ja dhe nuk do ta vriste kurrë një njeri të tillë”, pati deklaruar Selimi për RTV Dukagjini.

Gjatë intervistës ai pati pranuar atë kohë se është intervistuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale për një rast të vitit 1998, pikërisht në kohën kur ishte zhdukur Behajdin Allaqi.

“Nuk mund të flas më shumë për këtë proces. Kam folur para hetuesve për rastin që isha ftuar dhe për veten”,deklaroi Selimi.

Ai poashtu pati thënë se rasti për të cilin ishte intervistuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale nuk rëndojnë mbi të.

“Konstatoj edhe një herë ku jam i ftuar për një rast, nuk është një rast që peshon shumë mbi mua, por që po më pyesni për raste të veçanta. Unë nuk jam ftuar dhe intervistuar për raste të pasluftës. Madje, nuk e di as se a i trajton rastet e pasluftës apo jo”, pati thënë Selimi.

Allaqi ishte zhdukur në mënyrë misterioze në qershor të vitit 1998, ndërsa rasti i tij nuk është zbardhur asnjëherë.

Për çka akuzohen Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi?

Tri vjet pas publikimit të Insajderit, dy nga personzhet që përmenden në shkrim: Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi gjenden në Hagë.

Këta të dy, bashkë me Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit

Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se këto krime janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se në korrik të vitit 1998, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, sipas aktakuzës në këto operacione ishin të përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi. Sipas aktakuzës, disa të ndaluar më pas ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi ishte identifikuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.

Në një tjetër rast, që sipas aktakuzës pretendohet se ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, ku, siç pretendon Gjykata, “Thaçi dhe Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe ushtruar dominim ndaj njësive që ishin të lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që ishin të lidhura me qeverinë në ekzil”.

Aktakuza pretendon se më 1999, Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Në aktakuzë pretendohet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave ; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet… etj”.

Përmes veprimeve ose mosveprimeve, thotë aktakuza, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.

Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”./Gazeta Insajderi/

SHPËRNDAJE