Kryetari Lladrovci dhe Gjeneral Brigade në FSK, Enver Cikaqi vizitojnë ndërtimin e urës në Dobroshec

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me Gjeneral Brigade në FSK, Enver Cikaqi, Gjeneral Xhevahir Geci dhe anëtar tjerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të enjten kanë qëndruar në fshatin Dobroshec të Drenasit për të parë nga afër punimet e ndërtimit të urës.

Kryetari Lladrovci tha se me ndërtimin e kësaj ure, do të ju lehtësohet qarkullimi banorëve të fshatit të Dobroshecit, të cilët për më shumë se dy muaj e kanë pasur të vështirësuar qarkullimin për shkak të dëmtimit të urës nga vërshimet. “Falënderoj Forcën e Sigurisë së Kosovës që po e bëjnë një punë të jashtëzakonshme për ndërtimin e kësaj ure të përkohshme. Ne si Komunë zotohemi që do ndërtojmë urën e re duke zëvendësuar atë që është dëmtuar nga vërshimet. Ju kërkojë falje banorëve të fshatit Dobroshec për vonesat që janë bërë, por procedurat kanë qenë të asaj natyre dhe besoj që janë të arsyeshme”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Gjeneral Enver Cikaqi, ka thënë se sot kemi ardhur për të parë për së afërmi punimet e ndërtimit të kësaj ure dhe jemi jashtëzakonisht shumë të kënaqur me ndërtimin e saj dhe profesionalizimin që po e tregojnë djemtë tanë për t’i ndihmuar komunitetit tonë. Falënderoj Komunën dhe qytetarët që na kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

Me qëllim të mbështetjes së qytetarëve për lehtësim të qarkullimit si dhe sanimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e muajit janar, inxhinierët e Regjimentin e Xhenios të Gardës Kombëtare të FSK-së në Dobroshec të Drenasit kanë filluar operacionin e ndërtimit të urës mobile ,,Mabey Johnson’’. Projekti i ndërtimit të urës me gjatësi prej 36 metra, do të përfundoj në fillim të muajit Maj dhe do të realizohet në bashkëpunim me komunën e Drenasit.

SHPËRNDAJE