Përurohet ura në Dobroshec të Drenasit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me Zëvendës Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi dhe pjesëtarë te tjerë të FSK-së, kanë bërë përurimin e urës në fshatin Dobroshec, pas dëmtimeve që kishte pësuar ura e vjetër si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut gjatë muajit janar të këtij viti.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar Forcën e Sigurisë së Kosovës të cilët kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj ure të përkohshme dhe ka vlerësuar se me ndërtimin e kësaj ure, do të ju lehtësohet qarkullimi banorëve, ku për me shumë se dy muaj e kanë pasur të vështirësuar qarkullimin për shkak të dëmtimit të urës nga vërshimet. Gjatë përurimit të urës, kryetari Lladrovci është zotuar se do të ndërtojnë urën e re në vendin ku është dëmtuar ajo ekzistuese nga vërshimet.

Gjeneral major, Enver Cikaqi, ka thënë se jemi shumë të kënaqur me punën shumë profesionale që kanë bërë djemtë e FKS-së për t’i ndihmuar komunitetit. Gjeneral Cikaqi ka falënderuar komunën dhe qytetarët që kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

Ndërtimi i kësaj ure mobile është bërë nga inxhinierët e Regjimentit Xhenios të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës “Mabey Johnson”, ne bashkëpunim me Komunën e Drenasit.

SHPËRNDAJE