Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me rastin e Ditës së Çlirimit, në manifestimin në Poklek ka përkujtuar të rënët për lirinë e Kosovës dhe la lartësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Lladrovci ka shkruar në Facebook se Pokleku dhe Drenasi, kanë qenë të nderuar me këtë organizim, të cilin e quajti dinjitoz.
I pari i Drenasit ka përmendur edhe ish pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe të tjerët të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
“Sot, është nderuar sakrifica për liri në Poklek dhe Drenas por edhe krejt Kosovën, megjithëse kemi ende plagë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, mos dënimi i kriminelëve por edhe padrejtësia që po ngjan në Hagë me drejtuesit më të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, etj”, ka shkruar ai.
Kosova sot ka shënuar 22-vjetorin hyrjes së trupave të NATO-s, e cila njihet si Dita e Çlirimit.
Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Ramiz Lladrovcit në Facebook:Qytetarë të komunës së Drenasit,Familjar të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,Sot, nën përkujdesjen e Sh.S.Znj. Presidente e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku ishin të pranishëm edhe kryekuvendari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, si dhe personalitete të shquara vendore e ndërkombëtare, është mbajtur në Poklek manifestimi qendror kushtuar “Ditës së Paqes”, apo “Ditën e Çlirimit”.Pokleku dhe Drenasi kanë qenë të nderuar me këtë organizim dinjitoz nga ku u dhanë mesazhet e kësaj dite të paharrueshme për të gjithë neve, finalizimin e luftës tonë çlirimtare dhe hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, si Ditë të çlirimit.Para 22 vitesh, paqja vërtetë arriti, pas 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s. Por, ishte një shekull përkushtim e sakrificë e bijave dhe bijve më të mirë të kombit, të UÇK-së, për të arritur më 12 qershor 1999.Pas luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qëndresës së popullit tonë, e drejta jonë për të jetuar në liri mori përkrahje nga bota demokratike. Ne do t’i kujtojmë gjithmonë ata që na ndihmuan.Kjo ditë historike u shënua me fjalë rasti dhe mesazhe të çmuara të Presidentes Osmani, kryekuvendarit Konjufca dhe kryeministrit Kurti, u ekspozuan fotografitë autoriale të Arban Osmanit, si dëshmi për rrugën dhe çmimin e lirisë tonë dhe Koncert requiem nga Filarmonia e Kosovës.E rikujtoj me emocione të pashlyeshme se vendi ku u mbajt sot manifestimi, menjëherë në ditët e para të çlirimit, së bashku me kryeadministratorin Bernard Kushner dhe me Bardhyl Mahmutin kemi vizituar shtëpinë që tashmë është Muze, ku ishin djegur 53 qytetarë dhe ai me dorën e vet preku shumë eshtra të martirëve. Kjo vizitë këtu në Poklek e z. Kushner, ishte edhe dëshmi për krimin dhe gjenocidin serb.Në çdo pëllëmbë të kësaj toke, vërehej tmerri që kishte lënë pas vetes okupatori serb, vendet e masakrave por edhe shkatërrimin total të shtëpive, të vlerësuar me shkallën e 5-të.Sot, është nderuar sakrifica për liri në Poklek dhe Drenas por edhe krejt Kosovën, megjithëse kemi ende plagë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, mos dënimi i kriminelëve por edhe padrejtësia që po ngjan në Hagë me drejtuesit më të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, etj.Rruga jonë ishte e drejtë, prandaj edhe gjetëm mbështetje nga bota liridashëse. Ne jemi përjetësisht mirënjohës dhe falënderues. Ne nuk do ta harrojmë se ishim para zhdukjes dhe në ditët vendimtare të ekzistencës tonë, NATO me aleatët doli krah nesh, krah UÇK-së dhe popullit të Kosovës.Ne, këtë ditë dhe këtë përkrahje kurrë nuk do ta harrojmë. Ashtu siç kurrë nuk do t’i harrojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë.Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!Gëzuar Dita e Paqes, Dita e Çlirimit!Ju faleminderit!
SHPËRNDAJE